Normaliteti i Anormalizuar: “Gogoli” i dekadës së 20të  

Dekada e 20të, në të cilën ndodhemi aktualisht ka një trend shumë “interesant” kur vjen puna të gjumi i bebeve. Flas trend i kësaj dekade, pasi tani ka hyrë fuqishëm në Shqipëri, ndërkohë që në Amerikë, është i dekadës së kaluar dhe tani është duke u larguar definitivisht. E di se menduat menjëherë për ‘specialistët’ e gjumit dhe trajnimet e gjumit por trendi në fjalë nuk ka të bëjë thjeshtë me trajnimet e gjumit, pasi këto të fundit janë thjesht pasojë apo simptomë, e një mendësie krejtësisht të gabuar, trendi ka të bëjë me mëndësinë dhe filozofinë se nga burojnë këto trajnime. Kjo mendësi implikon se bebi mund të “trajnohet” “mësohet” “manipulohet” apo quajeni si të doni, që të flejë gjumë më gjatë e më mire. Kjo është tërësisht e plotësisht e gabuar. Pse? Sepse truri i njeriut është i krijuar dhe formuar në mënyrë të tillë që të dijë si të flejë gjumë. Gjumi nuk është një aftësi… që mund të mësohet e të përmisohet. Gjumi është nevojë fiziologjike e trupit e si e tillë, trupi di vetë se si ta mirëmenaxhojë. është e njejta gjë si me frymëmarrjen. Nuk mendoj se dikush mund të pretendojë se mund të trajnojë apo mësojë mushkëritë se si të marrin frymë… apo të mësojë qepallat se si të hapen e të mbyllen në mënyrë që të mbrojnë sytë. 

Ka jashtëzakonisht shumë aspekte zhvillimore, që janë nevoja fiziologjike apo aftësi fiziologjike të cilat vijnë gradualisht me rritjen e fëmijës, e për shumicën prej tyre ne e dimë se duhet të presim një periudhë kohe, që fëmija të arrijë një stad të caktuar zhvillimor në mënyrë që të mund ta bëjë dicka. E megjithatë nuk e mbajmë këtë qëndrim kundrejt gjumit… pse? Arsyet janë të thjeshta: 

  1. Mungesa e gjumit te bebet shkakton lodhje te prindërit. 
  2. Pasojat e ndjekjes së një metode specifike për gjumin e bebit, vijnë shumë vonë në kohë, nuk janë të menjëhershme. 
  3. Pasojat janë psikologjike e emocionale, pra jo të dukshme e të prekshme, kështu më lehtësisht të manipulueshme e më pak të kuptueshme. 

 

Cështja e gjumit është delikate, pasi një bebe që nuk fle ndikon në lodhjen e prindërve dhe i bën ata vulnerabël. Prindër të lodhur dhe vulnerabël janë baraz me target klientelë ideale për shërbime dhe produkte. 

Kështu, dicka që është e vështirë tashmë, me pak art në marketing, kthehet në një gjë të tmerrshme, ku edhe nëse prindi nuk e shikon si të tillë, ndikohet nga ambjenti përreth që të fillojë ta shoh! 

E vërteta është se ardhja në jetë e një bebeje do të ndryshojë rrënjësisht jetën, përfshirë këtu edhe gjumin! E kjo është krej normale! Ajo që është anormale është të shpresojmë apo mendojmë se me një produkt apo shërbim të caktuar ne mund ta ruajmë të pandryshuar rutinën apo gjumin tonë ashtu sic ishte para se bebi të vinte. Problemi më i madh në gjithë këtë, është se një pjesë e mirë e lodhjes së prindërve për shkak të gjumit të bebeve, shtohet ne mënyrë të pavetdijshme nga reklamimi si i till. 

Duhet të kuptojmë dicka: pritshmëritë, sjellja, dhe mendimi ynë kundrejt një fenomeni ndikojnë fuqishëm e në mënyrë të drejtpërdrejt se si ne reagojmë ndaj atij fenomeni. Kështu nëse ne na thuhet në mënyrë konstante: “Gjumi i bebeve është i tmerrshëm (patjeter thuhet në mënyrë që ti flasë subkoshiencës sonë sepse ky është arti i marketingut)… është i lodhshëm… shkatërrues… i tmerrshëëëm po të them…” Edhe sikur të mos jemi duke u lodhur shumë me bebin në të vërtet do të fillojmë të ndihemi të lodhur e të besojmë atë që na thuhet! 

Tani nuk po them që nuk është e lodhshme! Aspak! Po them që mënyra se si ne i ndërtojmë pritshmëritë tona ndikon në rritjen apo uljen e nivelit të lodhjes! 

Kështu misioni im është të rinormalizoj dicka që në fakt që në krijimin e saj është normale: Gjumi i bebeve! 

Kështu përsërit pas meje: 

Është normale që një bebe të zgjohet disa herë gjatë natës!

Është normale që një bebe të kërkojë prezencën e mamit gjatë gjumeve të ditës! 

Është normale që një bebe (sidomos tre mujorin e parë dhe gjatë progreseve) të zgjohet në 2-3 të nates e të rrijë një orë zgjuar! 

Është normale që një bebe të fleje duke pirë gji! 

Është normale që një bebe të bëjë gjume të shkurtra gjatë ditës! 

Shkëputur nga ebook: Gjumi i Bebeve, Gogoli i Dekadës së 20-të, të cilin mund ta gjeni këtu