Si prindër, gjithmonë duam më të mirën për fëmijët tanë. Por ndonjëherë, edhe me qëllimet më të mira, mund të bëjmë gabime që ndikojnë në mirëqenien e tyre emocionale – pa qenë të vetëdijshëm për këtë. Ankthi te fëmijët shpesh ka një burim të lidhur me eksperiencat e përvojat, ambienti dhe mënyra si reagohet ndaj sfidave të jetës, qoftë të përditshme apo në rrethana jo të zakonshme.
Ja disa mënyra si ne si prindër mund të kontribuojmë pa dashje në rritjen e ankthit tek fëmijët tanë:
1. Mbrojtja e Tepërt
Dashuria dhe kujdesi janë thelbësore – por kur mbrojtja shkon në ekstrem, fëmijët nuk mësojnë si të përballen me sfidat vetë. Një fëmijë që nuk i lejohet të dështojë, të zhgënjehet apo të përballet me situata të reja, do të ndjejë ankth sa herë që përballet me diçka të panjohur. Kur ne ndërhyjmë menjëherë për t’u zgjidhur çdo problem, ne pa e kuptuar i mohojmë aftësinë për të ndërtuar reziliencë.
2. Modelimi i Ankthit
Fëmijët mësojnë më shumë nga ajo që shohin tek ne sesa nga ajo që u themi. Nëse ne shfaqim shpesh ankth, shqetësim ose kemi zakone si “po sikur…”, fëmijët do ta marrin këtë mënyrë mendimi si të tyren. Ankthi është ngjitës kur rritemi mes tij.
3. Kritika e Shpeshte dhe Perfeksionizmi
Kur përqendrohemi më shumë në gabimet që bëjnë fëmijët tanë dhe u vendosim standarde shumë të larta, ata mund të ndihen të paaftë, të pavlerë ose të frikësuar nga dështimi. Një fëmijë që ndjen se prindi i sheh vetëm gabimet, fillon të vetëkritikohet dhe ta lidhë dashurinë me suksesin.
4. Mungesa e Hapësirës Emocionale
Nëse nuk flasim për ndjenjat, ose nëse reagojmë me gjykim kur fëmija shpreh një emocion, ai mëson t’i shtypë ato. Fëmijët kanë nevojë për një hapësirë të sigurt ku mund të flasin, të ndihen të dëgjuar dhe të mos kenë frikë nga reagimi ynë.
5. Prindërimi i Paqëndrueshëm
Rregullat që ndryshojnë, ndëshkime të paparashikueshme ose mesazhe kontradiktore – të gjitha këto i bëjnë fëmijët të ndihen të pasigurt dhe të pasqaruar. Qartësia dhe qëndrueshmëria janë çelësi për sigurinë emocionale.
6. Kontrolli i Tepërt dhe Ankthi
Kur i japim shumë pak hapësirë për vendimmarrje dhe i drejtojmë çdo hap, fëmijët nuk mësojnë të përballen vetë me përgjegjësitë. Ata rriten me frikë nga gabimi dhe ankth nga pritshmëritë tona. Është në rregull të dështojnë. Është në rregull të harrojnë një detyrë.
7. Lavdërimi ose Kritika e Tepruar
Lavdërimi i vazhdueshëm për çdo veprim mund të krijojë presion të brendshëm për të qenë gjithmonë “i mrekullueshëm”. Nga ana tjetër, kritika e vazhdueshme pa njohur arritjet dobëson vetëbesimin. Ekuilibri është çelësi.
8. Frika të Paarsyeshme
Kur ne u japim fëmijëve mesazhe të vazhdueshme frike (bota është e rrezikshme, njerëzit nuk janë të besueshëm, etj.), ata rriten me një perceptim të shtrembëruar të botës dhe të vetes. Frika është e nevojshme për mbijetesë, por e dëmshme kur bëhet mënyrë jetese.
Si Të Ndihmojmë Fëmijën Të Ulë Ankthin
Nuk ka rrugë të thjeshtë, por ka mënyra të dobishme për të krijuar një ambient që ndihmon në zhvillimin emocional të fëmijëve tanë.
1. Komunikim i Hapur
Krijo një mjedis ku fëmija ndjehet i lirë të flasë për ndjenjat e tij. Dëgjo pa gjykim. Vetëm fakti që dikush e kupton, mund të ulë ndjeshëm ankthin.
2. Rutina dhe Parashikueshmëri ulin nivelin e Ankthit
Fëmijët ndihen më të sigurt kur dinë çfarë t’i presë. Krijo rutina të qarta ditore që ndihmojnë tranzicionet dhe ofrojnë stabilitet.
3. Mëso Strategji Qetësimi
Mund të praktikoni së bashku frymëmarrje të thellë, ushtrime relaksimi apo teknika të thjeshta ndërgjegjësimi. Ndihmoje të identifikojë ndjenjat dhe t’u japë emër. Kur një fëmijë e kupton çfarë po ndjen, ka më shumë kontroll mbi të.
4. Promovo Zakone të Shëndetshme
Gjumi i mjaftueshëm, ushqimi i ekuilibruar, aktiviteti fizik – të gjitha ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin emocional. Shmang ekranet para gjumit dhe krijo hapësira për kreativitet dhe pushim.
5. Ji Shembull
Fëmijët mësojnë shumë nga mënyra si ne përballojmë stresin. Ji i/e hapur për sfidat e tua dhe trego si i përballon. Jepi leje vetes të mos jesh perfekt – dhe jepu atyre të njëjtën leje.
Disa Mendime të Fundit
Çdo fëmijë është unik. Ajo që funksionon për njërin, nuk do të thotë se do të funksionojë për tjetrin. Por si prindër, ne kemi fuqinë të krijojmë një ambient që ushqen sigurinë emocionale. Dhe kur ndjejmë se na nevojitet ndihmë – ta kërkojmë.
8 mënyra si po i shkakton ankth fëmijës pa e kuptuar!
Related posts
Rreth Meje
Mirëserdhet te The Mom Corner, një qendër ditore që ofron klasa mami&unë dhe programe zhvillimore te fokusuara te femijëria e hershme. Ina Xhafa, themeluesja dhe drejtuesja e The Mom Corner, ka kryer studimet e larta të nivelit Bachelor në Psikologji, në LCC International University në Lituani, dhe Masterin MPA në drejtimin Politika Edukimi, në Cornell University në New York, USA. Ka mbi 6 vite eksperiencë profesionale duke punuar me fëmijë, familje dhe adoleshentë si këshilluese dhe në fushën e edukimit si dhe ka disa certifikime si praktikuese e metodave Montesori dhe Reggio Emilia. Mbi të gjitha është bashkëshorte dhe nënë e një djali 2 vjecar, i cili është edhe frymëzimi kryesor i The Mom Corner.
Learn more
Me Ndiqni: