A i dëmton fëmijët ekspozimi ndaj ekraneve?

 

Ekranet janë një ndër temat më të përfolura në ditët e sotme përsa i përket zhvillimit të fëmijës, e megjithatë duket se nuk po flitet mjaftueshëm, përsa kohë maxhoranca e prindërve zgjedhin ti ekspozojnë fëmijët që në muajt e parë të jetës ndaj ekraneve e për më tepër në mënyrë të pa limituar. 

Por a i dëmton fëmijët ekspozimi ndaj TV, telefonit apo iPad? Ja ku janë 10 pasoja të mundshme dhe dëme që ekspozimi ndaj ekraneve kur bëhet në moshë të hershme, pa limite të shëndetshme kohore dhe pa kontroll mbi llojin e programeve që shikohen, mund të sjellë:

 

  1. Vonesa në zhvillimin e gjuhës – Ekranet mund të zvogëlojnë ndërveprimet e drejtpërdrejta me të rriturit, të cilat janë kyçe për zhvillimin e gjuhës te fëmijët.

  

  1. Probleme në aftësitë sociale – Fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekraneve kanë më pak mundësi për të zhvilluar aftësi të rëndësishme sociale, si komunikimi dhe empatia, përmes ndërveprimeve të drejtpërdrejta me njerëzit.

 

  1. Ndikim në vëmendje – Ekspozimi i hershëm dhe i zgjatur ndaj ekraneve është i lidhur me zhvillimin e problemeve me përqendrimin dhe vëmendjen, duke përfshirë edhe rrezikun për ADHD.

 

  1. Ulje e imagjinatës dhe lojës kreative – Fëmijët mësojnë dhe zhvillohen përmes lojës së lirë, dhe koha e kaluar para ekranit mund të kufizojë lojën kreative dhe imagjinative, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin kognitiv.

 

  1. Probleme me gjumin – Drita blu nga ekranet mund të ndërpresë ciklin e natyrshëm të gjumit dhe prodhimin e melatoninës, duke shkaktuar probleme me gjumin dhe përgjumje gjatë ditës.

 

  1. Shtim i rrezikut për mbipeshë – Mungesa e aktivitetit fizik dhe qëndrimi i gjatë para ekraneve mund të kontribuojnë në mbipeshën te fëmijët, që mund të ketë efekte afatgjata në shëndetin e tyre.

 

  1. Zhvillim i dobët i aftësive motorike – Ekranet zvogëlojnë kohën që fëmijët kalojnë duke lëvizur dhe duke zhvilluar aftësi motorike të rëndësishme përmes lojës fizike.

 

  1. Zhvillim i dobët emocional – Kalimi i tepërt i kohës para ekranit mund të ndërhyjë në aftësinë e fëmijëve për të zhvilluar dhe menaxhuar emocionet, pasi nuk marrin mjaftueshëm ndërveprime të ndjeshme me të tjerët.
  1. Mungesë e ndërveprimit prind-fëmijë – Prindërit dhe fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekraneve ndërveprojnë më pak me njëri-tjetrin, gjë që mund të ndikojë në lidhjen dhe zhvillimin emocional të fëmijës.

 

  1. Imitimi i sjelljeve të padëshiruara – Përmbajtjet në ekran shpesh përmbajnë sjellje që fëmijët nuk janë të gatshëm t’i përpunojnë apo t’i kuptojnë plotësisht, dhe kjo mund të çojë në imitimin e sjelljeve të padëshiruara ose të dëmshme.

 

Rekomandimi i ekspertëve zhvillimor është që ekspozimi ndaj ekraneve të shtyhet sa më shumë të jetë e mundur dhe është kategorikisht e ndaluar 18 muajt e parë të jetës të fëmijës.Më pas ekspozimi ndaj ekraneve mund të ndodhë në kohë shumë të limituar gjatë ditës. Jo më shumë se 30min 18-24m dhe jo më shumë se 60 min në total sipas rekomandimeve të AAP për fëmijët 2-5 vjec. 

 

Video-telefonatat me familjarët që ndoshta jetojnë larg, nuk konsiderohen si kohë para ekrani dhe nuk kanë pasojat negative të sipërpërmendura. 

 

Nëse do i lejoni kohë para ekranit fëmijës tuaj, idealja është ti lejoni vetëm TV, jo telefonë apo iPad ku mund të ndërveprojë duke ndryshuar videot, figurat etj, si dhe të përzgjidhni në mënyrë të kujdesshme programet televizive që i lejoni, që të jenë sa më edukuese dhe sa më pak mbi stimuluese.