Eksperienca e parë e bebit me ambjentin përreth ndodh nëpërmjet të prekurit, shqisë që zhvillohet që në javën e 16 të fetusit. Kjo shqisë është shumë e rëndësishme në rritjen e fëmijës dhe aftësive të tij fizike, gjuhësore, konjitive, dhe socio-emocionale. Prekja jo vetëm që stimulon zhvillimin në afate të shkurtra gjatë fëmijërisë, por ka gjithashtu efekt afat-gjata, gjë që sugjeron fuqinë e prekjes pozitive dhe të butë që nga lindja. Nëpërmjet kontaktit fizik, të porsalindurit kanë mundësi të mësojnë për botën e tyre, të krijojnë lidhjen e ngushtë me prindin/kujdestarin, dhe të komunikojnë nevojat dhe dëshirat e tyre. 80% e komunikimit të bebit shprehet nëpërmjet gjuhës së trupit. Kur prindërit përdorin kontaktin fizik si duhet, fëmijët e vegjël kanë shanse më të larta për tu zhvilluar me sukses në aspektin social, emocionale, dhe intelektual.
Rëndësia vitale e kontaktit fizik
Mungesa e kontaktit fizik gjatë viteve të para të jetës ngadalson zhvillimin te foshnjet. Megjithatë studimet I japin rëndësi shumë të madhe benefiteve të prekjes te bebet premature, prezenca e kontaktit fizik është po aq fitimprurëse tek të gjithë fëmijët.
Në fakt foshnjat që përjetojnë më shumë kontakt fizik me mamat (apo personat që kujdesen për ta) shfaqin një zhvillim më të dukshëm konjitiv, psiko-social dhe motorrik, në krahasim me bebet që e kanë pasur të limituar kontaktin fizik. madje studimet afatgjata tregojnë se kjo përparësi zhvillimore ka vazhduar për të paktën tetë vitet e para të jetës.
Shpesh si mama dëgjojmë shprehje të tipit ‘po e mëson keq, mos e mbaj shumë në krahë’ ‘po e përkedhel më shumë se c’duhet, do të bëhet tekanjoz’ e shumë e shumë të trejta. E vërteta studimore në fakt është se bebet që marrin më shumë se mesatarja përkëdhelje, kujdes, kontakt fizik (apo përqaputhje sic më pëlqen mua ti quaj) në afatgjatësi kanë treguar se vuajnë më pak nga ankthi, stresi emocional, si dhe menaxhojnë më mirë emocionet e tyre si të rritur.
Nga ana tjetër mungesa e këtij kontakti duket se ka po aq fuqi. Foshnjave të cilave u ka munguar kontakti fizik, kane shfaqur ngadalësim afatgjat zhvillimor, rritje të nivelit të agresivitetit, dhe stresit emocional.
Prandaj mama ndiqni instiktin tuaj e mos u ndjeni aspak në faj nëse ju thonë se ‘po e mëson keq’ kur ju në fakt jeni duke iu përgjigjur nevojës se bebit. Mos ja kurseni përkedheljet, krahët, praninë tuaj në tërësi, jo vetëm që po e bëni super të lumtur tani, por jeni duke investuar në zhvillimin e tij/saj tërësor për të ardhmen.
Prekja si forme komunikimi
Kontakti fizik jo vetëm që ndikon drejt për së drejti në zhvillimin konjitiv të fëmijës, por shërben edhe si një formë komunikimi. Me anë të prekjes ne i komunikojmë bebit se jemi aty, e qetësojmë, i themi praktikisht që po e dëgjojmë. Ne na pëlqen kur ndjejmë se dikush vërtet na dëgjon apo jo? E dini se edhe bebeve u pëlqen shumë kjo gjë?
Kontakti fizik u tregon bebeve se ti do që të formosh një marrëdhënie me të; i shpreh se ti je vendi i tyre i sigurtë, e për pasojë bebi qetësohet menjëherë. A e dini se vetem për shkak të kontaktit midis lëkurës së bebit dhe lëkurës së mamit clirohet menjëherë oksitocina? Oksitocina njihet ndryshe si hormoni i i “lidhjes së ngushtë” që jo vetëm e bën si bebin dhe mamin të ndihen të lumtur, ndikon në nivelin e prodhimit të qumeshtit të gjirit por edhe ndikon shumë pozitivisht në zhvillimi socio-emocional të bebit në kohë afatgjatë.
A e dinit se mamat arrijnë ta njohin bebin e tyre nëpërmjet prekjes pasi lindin? E jo vetëm kaq por kontakti fizik ndikon në balancimin hormonal dhe emocional të mamit, duke ulur ndjeshëm shanset për të vuajtur nga depresioni post partum.
Vazhdoni e përqaputhuni me bebin mama mundësisht 24 orë në ditë, e kur dikush t’ju thojë dicka – thuajini se jeni duke e përagitur që të bëhet një individ i mirë balancuar e mesiguri rrugës për në Harvard 😉
E meqë po flasim për kontaktin fizik, përqafime shumë për ju!
Referencat:
Stanford Medicine (2013). The benefits of touch for babies, parents.
Ardiel E. (MSc) & Rankin C. (PhD). (2010) The importance of touch in development. Paediatr Child Health Journal.
Related posts
Rreth Meje
Mirëserdhet te The Mom Corner, një qendër ditore që ofron klasa mami&unë dhe programe zhvillimore te fokusuara te femijëria e hershme. Ina Xhafa, themeluesja dhe drejtuesja e The Mom Corner, ka kryer studimet e larta të nivelit Bachelor në Psikologji, në LCC International University në Lituani, dhe Masterin MPA në drejtimin Politika Edukimi, në Cornell University në New York, USA. Ka mbi 6 vite eksperiencë profesionale duke punuar me fëmijë, familje dhe adoleshentë si këshilluese dhe në fushën e edukimit si dhe ka disa certifikime si praktikuese e metodave Montesori dhe Reggio Emilia. Mbi të gjitha është bashkëshorte dhe nënë e një djali 2 vjecar, i cili është edhe frymëzimi kryesor i The Mom Corner.
Learn more
Me Ndiqni: